Samir Mane tek dosja e Ilir Metës. Porositi e korruptoi me një vilë në këmbim të një ndryshimi ligjor. A do “ankohet” tek Këshilli i Medias

Biznesmeni Samir Mane rezulton i implikuar në dosjen e SPAK për aktivitetin korruptiv të Ilir Metës. Sipas njoftimit të SPAK, Samir Mane ka porositur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për ndryshimin e një ligji në favor të tij, duke u dhënë në këmbim, si favor korruptiv, një vilë.

Njoftimi i SPAK

“3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).”

Kujtojmë që, Samir Mane është implikuar edhe në dosjen e SPAK për ish zëvendës kryeministrin, Arben Ahmetaj, duke mbuluar pastrimin e parave të këtij të fundit.

Kjo është hera e dytë që SPAK “kursen” biznesmenin Mane, duke mos ngritur akuzë ndaj tij, për korruptim të funksionarëve publikë dhe pastrimin e parave të tyre. Faktet janë në të dyja dosjet e SPAK.

Mbetet për t’u parë nëse biznesmeni Mane do të ankohet sërish tek Këshilli Shqiptar i Medias, për të pastruar figurën e tij. Replikë ka publikuar edhe dy artikuj pë përfshirjen e Manes në këto afera.

Më poshtë lajmet e publikuara:

Samir Mane në dosjen e pastrimit të parave të Arben Ahmetajt. A do ta shpëtojë Altin Dumani? Biznesmeni mbuloi vilat e ish-ministrit me kontrata fiktive

DOSJA- Ja si Samir Mane tentoi të zhdukte provat e pastrimit të parave nga Arben Ahmetaj në Palasë dhe Valamar