“Qëlloni protestuesit me armë në këmbë”, Presidenti i Kenias nuk përmbahet ndaj popullit

Presidenti i Kenias, William Ruto, ka urdhëruar policinë që të qëllojë në këmbë protestuesit që sulmojnë biznese, vetëm disa ditë pasi 31 persona u vranë gjatë protestave të mëdha antiqeveritare në gjithë vendin.

“Ata nuk duhet t’i vrasin, por t’i qëllojnë në këmbë që t’u thyhen dhe të shkojnë në spital para se të paraqiten në gjykatë”, tha Ruto në një deklaratë nga kryeqyteti Nairobi.

Këto janë deklaratat më të ashpra të presidentit që prej nisjes së protestave masive kundër papunësisë, korrupsionit dhe brutalitetit policor. Ai gjithashtu akuzoi kundërshtarët politikë se po organizojnë protestat dhe tha se disa nga protestuesit po bëjnë “luftë” kundër shtetit.

“Ata që sulmojnë policinë, forcat e sigurisë, stacionet policore kjo është shpallje lufte, është terrorizëm”, u shpreh Ruto. “Do të merremi me ta me vendosmëri. Nuk mund të lejojmë që vendi të drejtohet nga terrori apo dhuna.”

Presidenti shtoi se “Kenia nuk do të shkatërrohet nga disa njerëz të paduruar që duan të ndryshojnë qeverinë me mjete antikushtetuese. Kjo nuk do të ndodhë.”