PROFILI/ Kush është Dash Dumani? Krimet dhe aleancat, ku nuk ishte Nuredini…ishte Dashnori!

Një tjetër goditje e fortë i është dhënë botës së krimit të organizuar në Shqipëri duke e kthyer Dubain në një strehë të pasigurt për personat e kërkuar.

 

Autoritetet njoftuan arrestimin dhe ekstradimin që pritet të bëhet sot nga Dubai të Dashnor Dumanit, një emër i njohur për strukturat e drejtësisë shqiptare, dhe vëllai i Nuredin Dumanit, dëshmitarit të penduar të drejtësisë që tronditi grupet kriminale shqiptare me rrëfimet e tij.

 

Dashnor Dumani ishte në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë vrasje me paramendim, mbajtje pa leje të armëve luftarake, dhe vjedhje me armë.

Arrestimi i tij ndodhi në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe ai është aktualisht në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë për rolin e tij në disa nga ngjarjet më të bujshme kriminale të dekadës së fundit.

Emri i Dashnor Dumanit del në komunikimet e Sky Ecc në lidhje me masakrën e Bradasheshit në dhjetor 2018, një ngjarje tronditëse ku u vranë tre persona, përfshirë një shtetas turk. Sipas dëshmisë së vëllait të tij, Nuredin Dumani, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë që nga viti 2022, Dashnori ka qenë pjesë aktive e grupit që realizoi atentatin.

Prokuroria e Posaçme ka lidhur këtë ngjarje me një përplasje të armatosur mes disa prej grupeve më të rrezikshme në vend, si grupi Çopja, Talo Çela, dhe fraksione të tjera kriminale që operonin në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.

Dashi më ka treguar se në atë ngjarje (masakra e Bradasheshit) kanë marrë pjesë shumë persona, ku një prej tyre është Fatos Gosa ka dhënë në vijimësi informacione në lidhje me lëvizjet e Endrit Alibej natën e atentatit si dhë në ditë të tjera para atentatit. Atë natë para se ti bëhej atentati Endrit Alibej së bashku me mamanë e tij, bashkëshorten e tij, e cila është shtetase rumune dhe në atë kohë ka qenë shtatzënë. Nga vëllai im Dashi, kam mësuar se vrasjan e Endrit Alibej është tentuar që të bëhej edhe ditë të tjera, konkretisht 5-6 ditë para ngjarjes. Persona pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Haxhia, Dorian Shkoza, Mikael Qosja, Gent Sharra, Eljo Bitri, vëllai im Dashnor Dumani si dhe persona të tjerë që mund të dijë vëllai im. Në këtë ngjarje, atë natë Gent Sharra ka pasur rolin e organizimit të vrasjes sepse ai ka mundësuar vënien në dispozicion të makinës tip “Benz”. Atë natë makinën ka shkuar dhe e ka marrë në këtë shtëpi Gent Sharra së bashku me vëllain tim. Pasi Gent Sharra ka marrë makinën ia ka dhënë Dashit, i cili më pas e ka dëguar tek vendi tjetër që përdorej si bazë nga atentatorët. Dashi më ka treguar se atë natë ka qenë në makinën e atentatorëve së bashku me Altin Ndocin, Talo Çelën dhe Mir Haxhinë.

Për këtë ngjarje unë kam folur me Dashin nëpërmjet një telefoni të kriptuar, ku edhe e kam pyetur nëse ai ka marrë pjesë në atë ngjarje (masakrën) dhe çfarë roli ka patur. Dashi më ka treguar se ai ka marrë pjesë tek vrasja e trefishtë e Bradasheshit, ku ka qenë në një makinë me atentatorët por nuk ka goditur sepse ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe është hutuar. Në bisedë me Dashin me telefon të kriptuar SkyECC vetëm kaq kam biseduar në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa detajet Dashi mi ka treguar kur ka qenë në Shqipëri para se të largohej në Gjermani në vitin 20169, por në atë kohë nuk më tregoi se ai kishte marrë  pjesë këtë gjë ma  pohoi më pas kur ai ndodhej në Gjermani kur kemi biseduar me telefon të kriptuar. Nga Dashi kam mësuar se në atentatin ndaj Endrit Alibej dhe të afërmve të tij kanë marrë pjesë 2 makina, në të cilat kanë qenë Talo Çela, Miri Haxhia, Altin Ndoci, Dorian Shkoza dhe Dashi. Gjithashtu ka patur edhe persona të tjerë që kanë ndihmuar atentatorët atë natë, por nuk i di me emra konkret,”-rrëfen Dumani.

Në vitin 2015, Dashnor Dumani u arrestua në një operacion të zhvilluar në Durrës, ku u sekuestruan armë, tritol lloj C4, dhe pajisje të kontrollit në distancë, një arsenal që dëshmonte qartë përgatitje për atentate të sofistikuara. Në atë kohë, Dash Dumani u lirua për mungesë provash të mjaftueshme.

Përplasjet në botën e krimit nuk ndodhin vetëm mes grupeve rivale, por edhe brenda familjes.

Marrëdhënia e Dashnor Dumanit me vëllain e tij, Nuredinin, ka qenë e tensionuar që pas vendimit të këtij të fundit për të bashkëpunuar me drejtësinë. Në dosjen e SPAK, Nuredini ka përmendur emrin e Dashnorit si pjesë e disa operacioneve të dhunshme, përfshirë vrasje, grabitje, dhe sigurim kushtesh për atentate.

Në fund dy vëllezërit në dosjet e SPAK dalin që hanë në dy pjata të botës së krimit. Njëri (Dashnori) punonte për llogari të Çopjave  me Talo Çelën, tjetri (Nuredini) ishte kthyer në një ndihmës të Erion Alibej në planin e tij për të marrë hak!

Sipas dëshmive të tij, Dashnor Dumani ka marrë pjesë edhe në organizimin e grabitjes së bujshme në Rinas, në vitin 2019, ku u vodhën miliona euro nga një avion transporti.

Me ardhjen e tij në Shqipëri, pritet që procesi penal të përfshijë edhe bashkëpunime me emra të tjerë të njohur të botës së krimit.