Dyshime për shkelje, mashtrim dhe favorizim! Çfarë ndodhi me tenderi 5.3 mln euro të Salillarit për burgun e Kukësit

Një tender me vlerë 5.3 milionë euro, i dhënë me procedura të dyshimta kompanisë “Salillari”, është anuluar vetëm dy muaj pas shpalljes së fituesit, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi ligjshmërinë e gjithë procesit dhe rreziqet e përfshira në përdorimin e fondeve publike.

Më 12 maj 2025, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shpalli fitues kompaninë “Salillari” për ndërtimin e burgut të ri në Kukës, përmes një tenderi me objekt: “projektimi dhe ndërtimi i IEVP Kukës”.

A mashtroi “Salillari” për ndërtimin e burgut në Kukës?! Dy muaj pasi fitoi tenderin 5.3 mln euro, Burgjet ia anulojnë!

Por, në një kthesë të papritur dhe të pazakontë, më 14 korrik 2025, po e njëjta drejtori anuloi tenderin, me argumentin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhej me kriteret”. Kjo ngriti dyshime serioze për manipulime, pasi në fakt, “Salillari” ishte i vetmi ofertues i kualifikuar, me një ofertë që përputhej thuajse 100% me fondin limit, një shenjë klasike që sugjeron paracaktim të fituesit.

Cilat janë dyshimet e këtij rasti?

-Mashtrim me dokumentacionin. A janë përdorur dokumente të rreme ose të falsifikuara nga firma “Salillari” për të fituar tenderin? Nëse po, kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë penale që prek sigurinë e procesit të prokurimit publik.

-Favorizim i qëllimshëm. Shkarkimi i të gjitha firmave të tjera nën arsyetimin se nuk plotësonin kriteret, për të lënë vetëm një garues që ofron çmimin maksimal të lejuar, është një skenar tipik i një tenderi të manipuluar. Kjo çon në rrezik të lartë të shpërdorimit të fondeve publike.
-Përfshirja e zyrtarëve shtetërorë. Nëse rezulton se dokumentet janë hartuar në bashkëpunim mes firmës dhe zyrtarëve të burgjeve, atëherë kemi të bëjmë me korrupsion institucional dhe shkelje të rëndë të ligjit për prokurimet publike.

-Mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë. Njoftimi për anulimin nuk përmban detaje për shkeljet konkrete. Kjo i lë hapësirë dyshimeve dhe tregon mungesë të plotë transparence. Institucionet përgjegjëse nuk po japin llogari për fondet publike që administrojnë.

A do ketë hetime për tenderin 5.3 milionë euro?

Ky rast kërkon një hetim të plotë nga SPAK dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Janë dhjetëra milionë euro të fondeve publike në lojë, dhe çdo mungesë veprimi ndaj këtij rasti forcon pandëshkueshmërinë dhe rrezikon të bëhet precedent për tenderë të tjerë të ngjashëm.

Dosja duhet të shqyrtohet në tërësi, që nga hartimi i dokumentacionit standard, përjashtimi i garuesve të tjerë, mënyra e shpalljes së fituesit, e deri tek dokumentet që kompania ka paraqitur për të marrë fondet.

Ky nuk është vetëm një tender i dështuar. Është një këmbanë alarmi për mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe për nivelin e kontrollit të brendshëm që institucionet kanë apo s’kanë ndaj abuzimeve.