“Dritëhijet dhe efektet e hartës së re gjyqësore të Shqipërisë”. Ankohen juristët: Rekomandimet nuk merren në konsideratë

Në Shqipëri, zbatimi i hartës së re gjyqësore vazhdon të përcillet me diskutime të shoqërisë civile dhe institucioneve të reja të drejtësisë, lidhur me transparencën dhe efektshmërinë e saj.

Shqetësimi kryesor për vëzhguesit e pavarur është mbyllja e shumë gjykatave në rrethe dhe sidomos mbledhja e gjithë gjykatave të apelit në një gjykatë të vetme në kryeqytet.

Diplomatë europianë, përfaqësues të disa institucioneve të drejtësisë si dhe të shoqërisë civile diskutuan sot në mjediset e BE-së në Europe House rreth një tryeze të rrumbullakët mbi “Dritëhijet dhe efektet e hartës së re gjyqësore të të Shqipërisë”.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksoi në raportin e vet mbi zhvillimet në fushën e drejtësisë se procesi i hartimit dhe zbatimit të hartës së re gjyqësore ka qenë i mbyllur dhe jotransparent.

Drejtuesja e KSHH-së, Erinda Skëndaj, tha se grupi ndër-institucional për riorganizimin e rretheve gjyqësore, që ngriti KLGJ dy muaj pas konstituimit të tij, nuk ishte transparent me publikun për 3 vjet të punës së tij, nuk zhvilloi konsultime gjithëpërfshirëse gjatë hartimit të raportit të vlerësimit të nevojave mbi riorganizimin gjyqësor, por i bëri këto formalisht vetëm në fazën fundore, ku nuk pranoi asnjë sugjerim nga oponenca ligjore në raportin e vlerësimit, që KSHH që paraqiti në shkurt të vitit të kaluar, ose 6 muaj para se harta të miratohej.

“Ne kërkuam që minimalisht të kishim një përgjigje se përse sugjerimet dhe rekomandimet tona nuk merren në konsideratë. Patëm një një treyzë diskutimi me drejtues të KLGJ-së dhe me përfaqësues të grupit të punës, por asnjëherë nuk morëm një reagim zyrtar, se përse shqetësimet e ngritura prej nesh nuk u morën në konsideratë”, tha zonja Skëndaj.