Dinamo thyen tersin 15-vjeçar dhe shkurorëzon Egnatian, fiton titullin e 14-të të Kupës së Shqipërisë.
12 penallti dhe 120 minuta për të thyer tersin 15-vjeçar. Dinamo është fituese e Kupës së Shqipërisë për herë të 14-të në histori. Kryeqytetasit mposhtën mes shumë emocionesh Egnatian, për tu kthyer tek suksesi që mungonte prej vitit 2003 në këtë kompeticion.
Skuadra e Ilir Dajës mori atë që kërkonte prej kësaj sfide të zhvilluar në “Elbasan Arena”. Koha e rregullt dhe shtesa nuk ishin të jashtëzakonshme, duke prodhuar volum të madh loje dhe emocione për tifozeritë e dy skuadrave. Dinamo ishte ajo që kaloi dy herë në avantazh me anë të sulmuesit, Itodo.
Fillimisht nigeriani shënoi golin e epërsisë pas 19 minutash lojë, për të dërguar në delir shokët e skuadrës dhe teknikun Ilir Daja në pankinë. Reagimi i Egnatias mbërriti me Guindo, që përfitoi nga vendosja e gabuar e mbrojtjes kundërshtare në fund të pjesës së parë. Në të dytën, rrogozhinasit ishin më kërkues, por shpërthimi i Lorran solli sërish festë në kampin kryeqytetas.
Mbrojtësi kaloi këdo që i doli përballë për rreth 50 metra, për të shërbyer për Itodo që shënoi golin për 2-1 dhe të dytin personal. Por sërish minutat shtesë ishin “vetëvrasëse” për Dinamon.
Bakayoko gjen kohën dhe rrjetën për të shënuar golin e barazimit 2-2 dhe dërguar skuadrat në kohën shtesë. 30 minutat nuk sollën ndryshim rezultati, ndërsa nga ruleta ruse e penalltive ishte më e saktë Dinamo, për të ngritur lart trofeun e parë sezonal, të edicionit të 73-të të Kupës së Shqipërisë. Tashmë, Dinamo rikthehet te trofeu pas 15 vitesh, pasi hera e fundit që triumfonte ishte titulli kampion në sezonin 2009-2010