Burgjet e mbipopulluara nga kriminelët e bandave, Suedia planifikon dërgimin e të dënuarve jashtë vendit

Suedia po shqyrton mundësinë e dërgimit të një pjese të të burgosurve në burgje jashtë vendit, si një mënyrë për të lehtësuar mbipopullimin në institucionet e saj të vuajtjes së dënimit. Ky propozim vjen si pasojë e rritjes së ndjeshme të numrit të të arrestuarve, kryesisht nga operacionet intensive të policisë kundër grupeve kriminale.

Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömer, deklaroi në një konferencë shtypi se qeveria suedeze është tashmë në negociata me vende të tjera për të marrë me qira hapësira në burgjet e tyre. “Ka nevojë të punohet për zgjidhje të reja me Shërbimin e Burgjeve,” tha ai, duke lënë të kuptohet se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u menaxhuar.

Suedia është përballur me një rritje alarmante të krimeve të dhunshme të lidhura me bandat gjatë dy dekadave të fundit, duke e bërë atë vendin me shkallën më të lartë të vrasjeve me armë për frymë në Evropë. Lufta e ashpër e autoriteteve ndaj këtyre grupeve ka sjellë një valë të re arrestimesh, por ka krijuar një krizë të kapaciteteve në burgje.

Sipas të dhënave të vitit 2023, numri i dënimeve me burg të dhëna nga gjykatat suedeze ishte afro 200,000 muaj, një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë dhe dy herë më shumë se në vitin 2014. Ndërsa qeveria synon të vazhdojë presionin mbi grupet kriminale, mbetet për t’u parë se cilat vende do të pranojnë të strehojnë të dënuarit suedezë dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo politikë në të ardhmen.