Skandal në festën e ditëlindjes së Lamine Yamal, autoritetet spanjolle nisin hetim zyrtar
Pas një prej festave më luksoze të vitit, e organizuar për 18-vjetorin e futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, ky i fundit është përfshirë në një polemikë të fortë që ka tronditur opinionin publik dhe institucionet spanjolle.
Shkak është bërë prania në festë e personave me enanizëm (xhuxha) si pjesë e programit të argëtimit, një praktikë që organizata të të drejtave të njeriut e kanë denoncuar si diskriminuese dhe të papranueshme.
Sipas shoqatës spanjolle për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar (ADEE), kjo sjellje është “një formë e normalizuar përqeshjeje që shkel dinjitetin njerëzor”, dhe për këtë arsye ka kërkuar ndërhyrje nga institucionet shtetërore. Ministria e të Drejtave Sociale ka reaguar menjëherë duke kërkuar nisjen e një hetimi për shkelje të ligjit spanjoll për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, i cili ndalon përdorimin e tyre për argëtim publik në mënyrë që i objektifikon ata.
Sakaq, vetë artistët që morën pjesë në festë kanë dalë në mbrojtje të Yamal, duke deklaruar se janë trajtuar me respekt dhe janë paguar për shërbimin që ofruan, ndërsa shprehen të befasuar nga përmasat që ka marrë çështja.
Festa në vetvete ishte një ngjarje luksi me standarde ndërkombëtare. Ajo u mbajt në një lokacion privat të mbajtur sekret deri në momentet e fundit, ku ishin të ftuar figura të njohura të sportit dhe muzikës. Pajisjet elektronike u ndaluan rreptësisht dhe dokumentimi vizual ishte i lejuar vetëm nga një fotograf profesionist i caktuar nga vetë Yamal. Ndër dhuratat më të përfolura ishte një varëse diamanti në vlerë rreth 400 mijë dollarë, e dhuruar nga artisti latin El Alfa.
Megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftuan për të shmangur skandalin që tani kërcënon të njollosë imazhin e një prej yjeve më të ndritur të futbollit europian. Yamal ende nuk ka bërë një deklaratë publike, ndërsa FC Barcelona nuk ka komentuar për çështjen deri në këto momente.
Nëse hetimi konfirmon shkelje ligjore, lojtari dhe organizatorët mund të përballen me gjoba të majme që variojnë deri në 1 milion euro dhe ndalim të aktiviteteve të ngjashme në të ardhmen.
Nga një festë madhështore në një breshëri kritikash rasti i Lamine Yamal po shndërrohet në një precedent ligjor dhe etik për mënyrën sesi trajtohen figura publike dhe respekti ndaj dinjitetit njerëzor.