Shkruhet historia! Tenistja fiton Wimbledon për herë të parë, thyen rekordin 114 vjeçar
Iga Swiatek ka shkruar emrin me shkronja të arta në historinë e tenisit polak, duke u bërë lojtarja e parë nga Polonia që fiton titullin e Wimbledonit. Në një finale të njëanshme, 24-vjeçarja mposhti amerikanen Amanda Anisimova me rezultatin shkatërrues 6-0, 6-0, në vetëm 57 minuta lojë.
Swiatek, e renditur e teta në botë, dominoi plotësisht ndeshjen në Fushën Qendrore të All England Club, duke shfrytëzuar maksimalisht përvojën dhe qetësinë e saj kundër një Anisimove të tronditur dhe nervoze në debutimin e saj në një finale të Grand Slamit.
Ky rezultat e bën Anisimovën, të renditur të 13-tën, lojtarja e parë që humbet një finale të Wimbledonit me rezultat 6-0, 6-0 që nga viti 1911. Ajo gjithashtu bëhet viktima e parë e një “double bagel” në një finale Grand Slam që prej vitit 1988, kur Steffi Graf mposhti Natasha Zverevën në finalen e French Open.
Për Swiatek, kjo është fitorja e gjashtë në turnetë Grand Slam dhe vjen në një turne ku ajo nuk kishte kaluar asnjëherë më shumë se çerekfinalet më parë. Ajo ishte dominante edhe në gjysmëfinale, ku humbi vetëm dy gejme ndaj Belinda Bencic, dhe kulmoi performancën e saj me një finale të përsosur.
Swiatek e mbylli ndeshjen me një goditje të saktë me shpinë, duke rrëmbyer trofeun më prestigjioz në tenis me një paraqitje që do të mbahet mend gjatë në historinë e sportit.