REAL AKORD VERBAL ME BELLINGHAM

Jude Bellingham do jetë goditja e madhe e Real Madrid. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, klubi mbretëror ka arritur akordin verbal me anglezin për transferimin e tij në “Santiago Bernabeu”. Madrilenët kanë zgjedhur fillimisht të bindin lojtarin për të veshur fanellën e bardhë, rrugë që natyrisht do lehtësojë akoma dhe më shumë akordin me Borussia Dortmund. Bellingham është në dijeni të pagës dhe kohëzgjatjes së kontratës që gjigantët spanjollë janë të gatshëm t’i ofrojnë, me detajet që nuk bëhen të ditura.

Enigmë mbetet dhe koha se kur Bellingham do të bashkohet me skuadrën, me muajt e verës që pritet të jenë edhe koha e duhur për bashkimin e dy palëve. 19-vjeçari është emri më i lakuar në tregun futbollistik, kjo pasi cilësitë e tij në fushën e lojës janë të padiskutueshme. Lojtari anglez u transferua në Gjermani nga Birmingham në verën e vitit 2020.

Që prej asaj kohe, Bellingham ka shënuar 19 gola dhe dhënë 21 asistime në 112 paraqitje me Dortmund, duke u kthyer kështu në një profil tepër interesant dhe mjaft të domosdoshëm për verdhezinjtë. Kartoni i lojtarit që luan në të gjithë pozicionet e mesit të fushës vlerësohet me 110 milionë euro nga drejtuesit e Dortmund, me të cilët ka një marrëveshje deri në vitin 2025.