Pasuria faraonike që la për pasardhësit Diogo Jota

E veja e futbollistit të ndjerë të Liverpoolit, Diogo Jota, mund të trashëgojë një pasuri prej rreth 35 milionë paundësh, duke garantuar sigurinë financiare për veten dhe tre fëmijët e tyre.

Jota, 28 vjeç, humbi jetën tragjikisht javën e kaluar në një aksident automobilistik në Spanjë, ku ndodhej me vëllain e tij 25-vjeçar, Andre, i cili gjithashtu ndërroi jetë. Aksidenti ndodhi vetëm 13 ditë pas dasmës së tij me partneren e jetës, Rute, me të cilën kishte një lidhje që prej adoleshencës.

Gjatë karrierës së tij në futbollin anglez, Jota kishte firmosur kontrata të majme, fillimisht me Wolverhampton Wanderers në vitin 2018, ku fitonte 38,000 paund në javë. Në dy vjet, ai kishte arkëtuar gati 4 milionë paund, përpara se të kalonte te Liverpool në vitin 2020.

Te Liverpooli, Jota pati një rritje të ndjeshme page, duke kaluar nga 83,000 paund në javë në fillim, në 140,000 paund në javë pas rinovimit të kontratës në vitin 2022. Vetëm nga kjo kontratë, ai kishte përfituar 21.8 milionë paund, pa përfshirë bonuset e performancës dhe të ardhurat nga reklamat. Jota, i cili shënoi 65 gola në 182 ndeshje me fanellën e Liverpoolit, kishte gjithashtu të ardhura të mëdha nga marrëveshje sponsorizimi me Nike dhe EA Sports, që i sillnin 3.3 milionë paund në vit, si dhe nga biznesi i tij i Esports, Luna Galaxy.

Përveç të ardhurave të drejtpërdrejta, Jota kishte investuar në prona dhe biznese. Në maj 2022, ai dhe bashkëshortja e tij blenë një shtëpi luksoze me pesë dhoma gjumi në Blundellsands për 2.125 milionë paund. Ai kishte regjistruar edhe një kompani të të drejtave të imazhit, Minute J Ltd, për të menaxhuar një pjesë të fitimeve të tij.

Sipas burimeve të klubit, Liverpool pritet të respektojë kontratën e tij deri në vitin 2027, duke i transferuar familjes së tij 14.5 milionë paund të mbetura, në një gjest solidariteti dhe nderimi për yllin portugez. Zota gjithashtu zotëronte një koleksion makinash luksoze, vlerësuar mbi 1 milion paund, përfshirë një Ferrari 488 dhe një Mercedes-Benz G63 AMG.

Tre fëmijët e çiftit, Dinis (4 vjeç), Duarte (2 vjeç) dhe vajza e tyre Mafalda (8 muajshe) pritet të trashëgojnë këtë pasuri të konsiderueshme, e cila vjen si rezultat i punës, disiplinës dhe vizionit të Zotas si sportist dhe biznesmen.

Portali “The Richest” e përshkroi trashëgiminë e tij si “një shembull të rrallë të një futbollisti që arriti jo vetëm famë në fushë, por edhe një stabilitet të jashtëzakonshëm financiar në një moshë shumë të re”. Vdekja e Diogo Jotas ka shkaktuar trishtim të madh në botën e futbollit, ndërsa Liverpool dhe komuniteti sportiv vijojnë të nderojnë kujtimin e tij.