Ndeshja me Anglinë, Sylvinho: Duhet edhe ta shijojmë! Gjimshiti: Realizojmë ëndrrën e të gjithëve
Dhimbjet e kokës janë prezente te kombëtarja shqiptare në prag të duelit me Anglinë.
Qendërmbrojtësit, Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla kanë shfaqur probleme fizike dhe janë në dyshim për të zbritur në fushë. Për trajnerin Sylvinho, ky 90 minutësh duhet shijuar pasi shërben edhe për vazhdimësinë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
“Kemi pasur probleme ditët e fundit. Do të vlerësojmë edhe gjendjen fizike të disa futbollistëve, Ismajli dhe Kumbulla dhe më pas duhet të vendosim. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, e rëndësishme. Kemi përdorur video dhe analizuar shumë material për të përgatitur skuadrën. Shumë futbollistë vijnë të lodhur në kombëtare dhe do analizojmë deri në fund gjendjen e tyre fizike. Futbolli është shpesh i paparashikueshëm dhe për këtë fakt duhet të besojmë. Sistemi nuk ka shumë rëndësi. Është ndeshja e parë dhe duhet ta shijojmë sepse na vlen edhe për të ardhmen” tha Sylvinho.
View this post on Instagram
Për kapitenin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, kualifikimi në Kupën e Botës është një ëndërr që duhet të provohet për tu realizuar.
“Thonë që ëndrrat nuk janë të mundura, por besoj që disa ëndrra edhe realizohen. Dhe pse jo. Nuk besoj që më herët njerëzit mendonin se Shqipëria do të kualifikohet dy herë në Europian. Ne jemi një ekip më i vogël se Anglia, por kemi një qëllim. Duhet të provojmë sepse mundësitë i kemi, të japim gjithçka dhe në fund shikohet rezultati. Por duhet të japim gjithçka në fushë dhe pastaj nëse arrijmë, është një sukses” tha Gjimshiti.
Sfida mes Anglisë dhe Shqipërisë do të luhet këtë të premte në orën 20:45 në stadiumin ikonik “Wembley”.
View this post on Instagram