Napoli ‘zhvat’ Elseid Hysaj! Mbrojtësi detyrohet të paguaj për kapriçot e tij

Pothuajse 6 vite pritje dhe në fund, Elseid Hysaj humb betejën ligjore me Napolin.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është gjobitur me 40 mijë euro dhe detyrim për të paguar shpenzimet gjyqësore.

U deshën tre shkallë gjykimi për të deklaruar përfundimisht se lojtarët nuk mund ta braktisnin klubin pas barazimit në Champions League kundër Salzburgut. Futbollistët e Napolit nuk morën pjesë në seancën stërvitore, duke mos iu bindur rregullores së klubit që atë kohë drejtohej nga Carlo Ancelotti.

Pas refuzimit të lojtarëve për të shkuar në stërvitje, klubi kishte ndërmarrë masa disiplinore dhe vendosi të merrte masa ndaj rebelëve, pavarësisht protestave të disa lojtarëve, përfshirë Insigne dhe Mertens.

Pas vendimit të Panelit të Arbitrazhit në vitin 2021, të gjithë lojtarët arritën një marrëveshje me klubin, por jo Hysaj, i cili apeloi në Gjykatën e Napolit dhe më pas edhe në Gjykatën e Lartë. Tashmë futbollisti shqiptar i cili aktivizohet te Lazio duhet të paguajë një faturë të kripur financiare.