Granit Xhaka shuan dilemat! Agjenti i shqiptarit zbulon akordin me klubin e ri

Granit Xhaka mund të kthehet në Premier League angleze.

Ky është lajmi i bujshëm që mbërrin nga mediat britanike, që raportojnë për një akord të 32-vjeçarit me një prej skuadrave elitare të futbollit anglez. Bëhet fjalë për Sunderland, skuadër e cila kërkon të bëj goditjen e madhe për të qënë konkurruese në sezonin e ri të kampionatit.

“Macet e Zeza” kanë bindur Xhakën për të nënshkruar për 2 sezone, me një pagë prej thuajse 12 milionë euro pa përfshirë këtu bonuset. Konfirmim që ka mbërritur edhe nga agjenti i futbollistit, i cili ka pranuar se mbetet në dorën e Leverkusen për ta lënë të lirë të firmos në Angli.

Pikërisht, kjo mbetet edhe pikëpyetja më e madhe për momentin, oferta për të blerë kartonin e tij nga Bayer Leverkusen. Gjermanët kërkojnë rreth 20 milionë euro për futbollistin me origjinë shqiptare, i shndërruar në një ndër emrat më të “dashur” në këtë merkato vere.

Xhakës do i pëlqente një rikthim në Premier League pas dy vitesh në Bundesligë, ku arriti të fitojë edhe titullin kampion. 32-vjeçari kaloi shtatë vite dhe mbi 300 ndeshje te Arsenal përpara se t’i bashkohej Leverkusenit në vitin 2023.

Granit Xhaka ka kontratë me Leverkusen deri në vitin 2028, teksa nëse me Sunderland do të bëhej lojtari i shtatë që firmos me skuadrën e ngjitur këtë sezon në elitë.