Covidi prishi planet në 2020, FSHF zyrtarizon miqësoren me kombëtaren e 199 në Botë
Në vitin 2020 u anullua për shkak të masave anti-Covid, ndërsa tashmë kombëtarja shqiptare do t’i jap dorën e fundit përgatitjeve për sfidat e shtatorit.
Kuqezinjtë kanë arritur akordin për tu ndeshur me Gjibraltarin më 4 shtator, një duel miqësor para duelit kualifikues të Kupës së Botës ndaj Letonisë. Sipas asaj që konfirmon Federata Shqiptare e Futbollit kjo përballje do të luhet në Gjibraltar, në “Europa Point Stadium” në orën 18:00. Për këtë arsye, stafi teknik ka vendosur të zhvillojë një miqësore, për të testuar gjendjen e lojtarëve para sfidës zyrtare.
Kjo do të jetë edhe hera e parë që Shqipëria sfidon Gjibraltarin, kundërshtarë që në letër është shumë më i dobët se ne. Në renditjen e FIFA-s së muajit qershor, Shqipëria ndodhet e 68-ta, ndërsa Gjibraltari i 199.
Në muajin shtator, Shqipëria ka vetëm një ndeshje zyrtare, atë kundër Letonisë në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Pas 4 ndeshjeve të para, kuqezinjtë kanë grumbulluar 5 pikë dhe ndodhen në vendin e dytë në grupin K, 4 pikë pas Anglisë që ka një takim më pak.