Festë me shqiponjë mes Polonisë! Juljan Shehu “çmend” tifozët me golin spektakolar
Julian Shehu është padyshim një nga futbollistët shqiptarë që po përjeton një moment fenomenal në karrierën e tij. I zbuluar nga trajneri Sylvinho dhe tashmë pjesë e Kombëtares shqiptare, 26-vjeçari duket se po kalon një transformim të jashtëzakonshëm, duke u kthyer në një nga emrat më premtues të mesfushës kuqezi.
Në ndeshjen hapëse të kampionatit polak, mes Widzew Lodz dhe Zaglebie, Shehu u bë heroi i takimit duke shënuar një supergol në minutën e 40’, që rezultoi edhe i vetmi gol i ndeshjes. Mesfushori shqiptar finalizoi me mjeshtëri një aksion të ndërtuar bukur, duke ngritur në këmbë tifozët vendas, të cilët kishin mbushur shkallët e stadiumit për të përkrahur skuadrën e tyre.
Festimi ishte po aq emocionues sa edhe goli: Shehu zgjodhi të festonte me simbolin e shqiponjës, një gjest që u përqafua edhe nga bashkëkombësi i tij, Lindon Selahi, gjithashtu pjesë e mesfushës së Kombëtares.
Ky fillim sezoni i mrekullueshëm vjen pas një viti të suksesshëm për Shehun, i cili ka treguar rritje të vazhdueshme si në klub ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Me tre ndeshje të luajtura deri tani për Kombëtaren shqiptare, forma e tij aktuale e bën një kandidaturë të fortë për sfidat e ardhshme që do të përballë trajneri Sylvinho.
Goli i së dielës është më shumë se një statistikë, është një tregues i qartë se Julian Shehu po kalon një nga periudhat më të ndritura të karrierës së tij. Kombëtarja shqiptare duket se ka fituar një lojtar të rëndësishëm për të ardhmen.