E kërkonin në Itali e Turqi, ylli i kombëtares shqiptare “ngatërron” avionin, firmos në Amerikë

Amerika mbetet tokë e premtuar për shqiptarët.

Një rrugë të tillë kanë vendosur ta ndjekin edhe futbollistët, e pas Giacomo Vrionit e Myrto Uzunit i radhës është Enea Mihaj.

Mbrojtësi i kombëtares kuqezi është bindur nga projekti i Atlanta United, duke firmosur deri në vitin 2028, me opsion rinovimi edhe me një tjetër sezon. 26-vjeçari ishte lakuar për të kaluar në Itali dhe Turqi, por oferta amerikane në MLS tundoi Mihaj, që hedh një hap të rëndësishëm në karrierë.

Pas 3 sezoneve te skuadra portugeze Famaliçao, ai do ketë mundësinë të tregojë të gjithë vlerat në Amerikë, ku përveçse do sfidojë yje si Suarez dhe Lionel Messi do ketë përballë edhe dy futbollistët shqiptarë, Vrioni e Uzuni.

Gjatë gjithë karrierës së tij me klube, Mihaj ka shënuar 1 gol e dhënë 4 asiste në 165 paraqitje. Ai ka luajtur 19 ndeshje me Shqipërinë, ku ishte pjesë e ekipit në Europianin e vitit të shkuar. Mihaj pritet të debutojë më 24 korrik, kur lejohet edhe aktivizimi i futbollistëve të transferuar në këtë merkato vere.