Basket-femra, Flamurtari një hap më pranë titullit kampion
Flamurtari në basketboll për femra regjistron fitoren e parë në serinë e ndeshjeve finale për titullin kampion.
Ekipi vlonjat ka mposhtur në ndeshjen e luajtur në Pallatin e Sportit “Flamurtari” ekipin e Tiranës me rezultatin 68-53. Një fitore që i jep më shumë besim Flamurtarit për të shkuar drejt titullit kampion.
Ndeshja ka nisur mjaft mirë për Flamurtarin, që e mbyll periodën e parë në avantazhin 22-16. Loja e mirë vijon edhe në 10 minutat e dyta, me Flamurtarin që shënon 17 pikë kundrejt 7 pikëve të Tiranës, ndërsa pjesa e parë mbyllet 39-23.
Pas pushimit, loja është më e barabartë, me ekipin vlonjat që administron me qetësi avantazhin, teksa në 10 minutat e treta të dyja skuadrat shënojnë nga 14 pikë. Duket se gjithçka është vendosur dhe 10 minutat e fundit për Flamurtarin shërbejnë për të konfirmuar fitoren. Në fund, gjithçka mbyllet 68-53.
Pas takimit, trajneri i Flamurtarit, Agim Dalipi, dhe drejtoresha e klubit shumësportësh, Elona Hasanaj, e kanë cilësuar këtë një fitore shumë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion
Ndërkohë, trajnerja e Tiranës, Mirza Alibegaj, ka theksuar se ka ende ndeshje në vijim për të përcaktuar skuadrën kampione.
Takimi i dytë final mes Flamurtarit dhe Tiranës do të luhet ditën e shtunë në kryeqytet.