Dashuria e vjetër nuk harrohet kurrë. Bekim Balaj është rikthyer aty ku hodhi hapat e para në futbollin e madh, me 32-vjeçarin që ka firmosur për Vllazninë. Pas shëtitjes në shumë kampionate Europiane, Balaj ka vendosur të vesh sërish ngjyrat kuqeblu. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi i futbollit Vllaznia, që njoftoi se palët kanë arritur marrëveshjen për të firmosur një kontratë 3-vjeçare, teksa Balaj ka pozuar edhe me fanellën kuqeblu, të cilën e vesh sërish pas plot 12 vitesh e gjysmë, që kur u largua në verën e 2010-ës.
Sulmuesi 32-vjeçar është rritur te Vllaznia, por ka luajtur vetëm një sezon me kuqeblutë, në periudhën 2009-2010, kur edhe ka shënuar 17 gola në 38 ndeshje, aq sa i mjaftuan për të tërhequr vëmendjen e skuadrave përtej kufinjve. Në karrierën e tij, Balaj ka luajtur me skuadra të njohura si Gençlerbirligi, Sparta Pragë, Slavia Pragë, Rijeka, Akhmat Grozny, Sturn Graz, Nizhni, Boluspor dhe Ankara Keciorengucu. Për shërbimet e Balaj kishte interes edhe nga skuadrat e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani, gjithsesi, Vllaznia fitoi duelin në merkato, duke marrë në skuadër një armë shtesë në garën për titull.