A do të tërhiqet nga futbolli? Messi thyen heshtjen: Do të largohem pa menduar moshën

Leo Messi nuk plaket kurrë, sigurisht nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, por mbetet “Topi i Artë” në fuqi dhe as që ka ndërmend të dorëzohet. “Pleshti” ka një kontratë me Inter Miami deri në fund të 2025, por kur pyet në lidhje me të ardhmen, a mendon të tërhiqet, nuk e ka ende një përgjigje të saktë:

“E di që do ta ndjej atë moment. Do ta kuptoj kur nuk do të jem më i aftë të ndihmoj shokët e mi në fushë. Jam shumë autokritik, e di kur jam mirë, kur jam keq, kur luaj mirë dhe kur luaj keq. Nëse do të vijoj të bëj mirë, do të përpiqem të vijoj, pasi futbolli është ajo që dua. Kur ta ndjej se do të vij ai moment, do të largohet pa menduar për moshën time”, u shpreh Leo Messi.

Në fund ai foli edhe për largimin nga Barcelona në verën e vitit 2021, ku tha se nuk ishte i gatshëm dhe nuk donte të largohej nga Camp Nou.

“Ishte e vështirë, sepse ndihesha për mrekulli në Barcelonë. Dhe nuk mendoja se do të largohesha. Nuk isha gati të ikja nga Barça, gjithçka ndodhi shumë shpejt. M’u desh të rindërtoja jetën me kalimin e ditëve”.

“Njoha një kampionat tjetër me PSG-në, një tjetër klub dhe dhoma zhveshjeje të reja. Ishte një ndryshim që nuk po e kërkoja. Ky është shkaku pse fillimi ishte i vështirë”, deklaroi tetë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi.