TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Ministria e Drejtësisë zhvilloi provimin e parë për kualifikimin e ndërmjetësuesve. Një detyrim që buron nga ligji i ri që është miratuar për profesionin e ndërmjetësuesve.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se “në provim u testuan 90 profesionistë të fushës dhe procesi u organizua, administrua dhe mbikëqyr nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit”.
“Ligji i ri i mbështetur nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka sjellë ndryshime shumë pozitive në sistemin e drejtësisë. Zgjidhjet alternative kanë pasur një impakt pozitiv në komunitet dhe në sistem, duke lehtësuar backlogun e gjykatave”, njofton Ministria e Drejtësisë.
“Ky ligj ka fuqizuar ndërmjetësuesit dhe nga ana tjetër ka reduktuar kohën e nevojshme për zgjidhjen e konflikteve, si dhe ka ulur kostot e procesit në krahasim me zgjidhjet në gjykatë. Impakti social i ligjit është se ndihmon palët e konfliktuara në pajtimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet tyre”, përfundon njoftimi.