Zarzavatet, produktet e qumështit dhe mishi kishin rritjen më të lartë të çmimeve në maj

Familjet shqiptare çojnë rreth 42% të shpenzimeve mujore për t’u ushqyer, shifër që është më e larta në Europë dhe shumë më tepër se mesatarja e Bashkimit Europian prej 13%.

Si rrjedhojë, shtrenjtimi i ushqimeve rëndon shumë më tepër në buxhetin e një familjeje shqiptare sesa në atë të një familjeje në vendet e Bashkimit Europian, apo dhe në rajon. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shumë ushqime vijuan rritje me ritme dyshifrore edhe në maj.

Shtrenjtimi më i lartë ishte për zarzavatet, përfshirë pataten, që ishin 18.3% më të shtrenjta në maj, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Patatja dhe qepa dy produkte bazë në kuzhinën shqiptare po shiten më çmime mesatarisht 25% më të larta këtë sezon. Tregu ka mungesa të rregullta në furnizime dhe për pasojë çmimi luhatet nga ditë në ditë me tendencë rritjen.

Nuk ka të ndalur as rritja e çmimeve të qumështiit e nënprodukteve të tij, që janë bërë më të shtrenjta sesa në shumë vende të tjera të Europës.Çmimet e grupit Qumësht, djathë dhe vezë u rritën me 14.3% me bazë vjetore në maj.

Përfaqësuesi e industrisë janë ankuar vazhdimisht për rritje të kostove dhe rënie të prodhimit vendas për shkak të uljes së krerëve të bagëtive,të ndikuar nga emigracioni në zonat rurale. Shtrenjtimi i produkteve të qumështit po i hap rrugën importeve, që u rritën me 28% për 4 mujorin e parë.

BURIMI: MONITOR