94 degë në të gjithë vendin rrezikojnë të mbyllen, shumë prej të cilave të shpallura prioritare. Në raportin “Metamorfoza e Universiteteve”, Qëndresa Qytetare konstatoi se Ligji i ri për Mjekësinë, i ka orientuar studentët drejt Infermierisë.
Nga 308 programe studimi në vend, 94 prej tyre rrezikojnë të mbyllen pasi kanë pak studentë. Universiteti i Elbasanit mban vendin e parë me 21 degë që rrezikojnë mbylljen dhe në 11 prej tyre nuk ka asnjë student.
“Janë 80 degë prioritare në total dhe rrezikojnë të mbyllen 33, pra 41% e tyre sepse kanë më pak se 10 student. Pavarësisht përpjekjeve për t’i futur në një grackë studentët që të regjistrohen tek këto degë nuk ka funksionuar. Nga ana tjetër dhe në Gjirokastër 22 programe, 9 mbyllen”, tha aktivisti Gevio Tabaku.
Ligji detyrues i studentëve të Mjekësisë për të punuar 2-5 vite në Shqipëri pas diplomimit ndikoi që dega më e preferuar të ishte infermieria me 99.1% të kuotave të ezauruara. Për zv.dekanin e Universitetit të Mjekësisë Ilir Alimehmeti ligji i miratuar ka dhënë efektet e para negative.
“Dhe po të pyesim e të bëjmë llogaritë akemi nevojë ne për 4 mijë infermierë në vit , në Shqipëri del qartë se nuk kemi nevojë për aq, për mjek kemi nevojë. Jo për 400, por për 800, 1 mijë. Diploma është e studentëve dhe ia jep Universiteti kur mbaron sudimet. Diploma u takon studentëve”, tha zv.dekani i UMT Ilir Alimehmeti.
Në raportin monitorues “Metamorfoza e Universiteteve” nga Qëndresa Qytetare u konstatua se pavarësisht trajtimit me bursë sa paga minimale për degët prioritare mungon interesi i studentëve, kryesisht në degët e mësuesisë.