Shoqëria civile ishte grupimi i radhës, që u vlerësua nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj me certifikata mirënjohjeje për punën e tyre të bërë gjatë vitit që po lëmë pas. Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile, ai u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deri tanishëm.
“Fundi i vitit është një moment i bukur për të festuar edhe gëzuar arritjeve, por është edhe një mundësi për të reflektuar, e sidomos për ata që na ndihmojnë. Një shprehje shqiptare thotë ‘trimi i mirë me shokë shumë’, dhe më vjen mirë që një pjesë të përgjegjësisë e kam ndaj me ju sepse askush nuk ia del dot i vetëm. Edhe në vendet më të zhvilluara, në Francë, në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Australi, ndjenja për të ndarë barrën, sidomos për çështjet sociale, është parimi më i drejte sepse askush nuk e ka monopolin, as të bamirësisë, as të zgjidhjes së problemeve”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se falë këtij bashkëpunimi të frytshëm, janë zgjidhur shumë prej problematikave sociale në Tiranë.