Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjellë të martën koncertin premierë titulluar “Not’te da Oscar”, i cili është i pari për këtë vit në skenë për publikun e kryeqytetit. Me kolonat zanore të sagës “Star Wars”, “Harry Potter”, “Schindler’s List”, “Superman”, “Home Alone”, “Pirates of the Caribbean” dhe shumë të tjerëve, për herë të parë në Shqipëri, orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe ndjekur nga solisti në violinë, Ettore Pellegrino, sjell për artdashësit koncertin simfonik me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams. “A jeni gati të përjetoni emocionin më të bukur në udhëtimin e jashtëzakonshëm mespërmes kryeveprave muzikore të kinemasë së shquar amerikane?”, thuhet nga teatri në faqen e tij, për koncertin që zhvillohet nesër në mbrëmje. Kalendari artistik i muajit janar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përmban katër koncerte dhe i pari është ai i datës 10 janar me titull “Not’te da Oscar”. Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit të institucionit që drejton për vitin 2023, u shpreh se përmban një program artistik muzikor me synim rritjen e cilësisë artistike.
Aktiviteti muzikor dhe vlerësimet
Një nga muzikantët më të njohur dhe me titull në Amerikë, John Williams është konsideruar prej kohësh një klasik në atdheun e tij. Si kompozitor ai ka një koleksion të çmimeve më prestigjioze, duke përfshirë “BAFTA”, “Grammy” dhe “Golden Globe”, por Williams është dhe fitues i çmimit “Oscar”. Kompozitori John Williams, autori i muzikës për filmat “Star Wars”, “Jaws”, “Indiana Jones”, “Harry Potter” dhe i të tjera prodhimeve kinematografike, në vitin 2016 u shpall fitues i Çmimit të Karrierës së Institutit Amerikan të Filmit. Më shumë se gjashtë dekada zgjat karriera e kompozitorit John Williams gjatë së cilës ka krijuar muzikë për rreth 150 filma. Në karrierën muzikore, që përfshin disa dekada, John Williams është bërë një nga kompozitorët më të arrirë dhe më të suksesshëm të Amerikës për film dhe për skenën e koncerteve. Bashkëpunimi artistik me regjisorin Steven Spielberg ka rezultuar në shumë prej filmave më të vlerësuar dhe të suksesshëm të Hollivudit. Por ai ka punuar edhe me regjisorë të tjerë legjendar, duke përfshirë Alfred Hitchcock, William Wyler apo dhe Robert Altman.