3, 2, 1… Tirana zyrtarisht ka hyrë në periudhën më të bukur të vitit. Kthyer tashmë në traditë, sheshi ‘Skënderbej’ është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi me fjalën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ftoi të gjithë të mbajnë “ndezur” dritën e mirë brenda vetes, për të çuar përpara punë të mira për familjen dhe vendin. Veliaj tha se është shumë e rëndëisshme që të gjithë të jenë më solidarë, më të dashur dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sidomos këtë muaj festash.
“Përveç festave te Pazari, Kalaja, Liqeni, Kopshti Zoologjik, apo këtu në shesh, uroj që secili prej nesh ta mbajë ndezur “dritën e mirë” që ka brenda vetes dhe sa herë zgjohet në mëngjes t’i bëjë një pyetje vetes: “Sot do zgjohem dhe do bëj mirë apo keq? Sot do inkurajoj njerëzit apo do merrem me llafe e do i shaj? Sot do çoj përpara punë të mira për familjen, për vendin, për qytetin apo do bëhem pengesë e dikujt? Është shumë e rëndësishme që këtë dritë që ndezim sot, ta mbajmë ndezur gjithë kohën e festave. Dua që këto festa të jenë plot me solidaritet dhe mirësi e dashuri. Kërkesa që kam për secilin është: Nëse keni pak më shumë ëmbëlsira, ndihmoni dikë që nuk ka. Nëse natën e Viti të Ri, natën e Krishtlindjes, gjatë festave, keni më shumë ushqime se ç’ju duhet, ndihmoni dikë që ka më shumë nevojë; nëse keni mjaftueshëm pulovra e bluza, jepini edhe atij që ndoshta s’e ka mundësinë të festojë si të gjithë të tjerët””, tha Veliaj.