Të ardhurat vjetore nga TVSH-ja ranë me 6.7% në shkurt
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, të ardhurat nga tatimet dhe doganat në shkurt ishin në vendnumëro në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa të arkëtimet nga TVSH-ja, një tatim mbi konsumin shënuan rënie me 6.7%.
Në shkurt, të ardhurat tatimore ishin 39.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me shkurtin 2022, kur rezultuan 39.4 miliardë lekë. Duke pasur parasysh dhe inflacionin, që në shkurt 2023 ishte 7.1% dhe rritjen ekonomike të pritshme prej 2%, ecuria reale e të ardhurave tatimore ishte negative. Në muajin shkurt arkëtimet nga TVSH-ja arritën ne 13.5 miliardë lekë, rreth 968 milionë lekë më pak se në shkurtin e vitit 2022. Sipas të dhënave të detajuara, tkurrja ka ardhur si nga tatimet ashtu dhe nga doganat.
Të ardhurat nga TVSH në dogana u tkurrën me 4.9% në shkurt me bazë vjetore, ndërsa nga TVSh e mbledhur nga tatimet ranë me 12.7% (gjithsesi rënia më e fortë e TVSH në tatime lidhet me shtimin e rimbursimit, teksa të ardhurat bruto nga TVSH-ja në tatime u rritën me 7.4%. Në kontrast, të ardhurat bruto nga TVSH në dogana ranë me rreth 5% për shkurtin me bazë vjetore). Por, edhe duke përjashtuar rimbursimin, të ardhurat totale nga TVSH bruto ishin me rënie prej 1.6%, duke sinjalizuar për frenim të konsumit.
Krizat e njëpasnjëshme dhe sidomos rritja e çmimeve vitin e fundit kanë ulur konsumin në disa kategori mallrash sidomos ushqimet. Të dhënat nga INSTAT njoftojnë se për dy- mujorin e parë 2023 importet e grupeve kryesore të ushqimeve pësuan rënie dyshifrore në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, të matura në sasi.
Rënien më të madhe e kanë shënuar vajrat vegjetale me gati 40 për qind. Në janar- shkurt 2023 u importuan mbi 4 mijë tonë vajra vegjetale në krahasim me 6,996 tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2022. Pas vajit, rënia më e madhe ka vijuar me drithërat. Në 2-mujorin e parë 2023 importet e drithërave ranë me rreth 33%. Grosistët, pohuan se rënia e importeve të grurit, sidomos, po nxitet nga dy faktorë kryesorë. i pari dhe me i rëndësishmi lidhet me tkurrjen e popullsisë në vend. Për dy mujorin, tatimet arkëtuan gjithsej 88.9 miliardë lekë, me zgjerim prej 4% me bazë vjetore.