Sot dita më e nxehtë e korrikut/ Temperatura deri 43 gradë në disa qytete të Shqipërisë, ekspertët apel për kujdes
E marta do të jetë dita e fundit dhe piku i tretë i valës së nxehtë të Cerberus që ka përfshirë për kohësh vendin tonë.
Meteorologu Hakil Osmani tha për News24 se maksimumet gjatë ditës së sotme do jenë në qarqet Elbasan e Berat deri në 43 gradë celsius, duke bërë që të jetë një ditë shumë e nxehtë për vendin tonë.
Por edhe qytete të tjera si Tirana, Shkodra apo Fieri dhe Gjirokastra pritet të ngjiten shumë pranë 42 gradë celsius.
Bregdeti do të jetë 37-39 gradë celsius. Në Juglindje do të jenë vlerat 36-37 gradë celsius.
Për zonat malore do të kemi temperatura disi më të freskëta, përjashtim do të bëjë këtu qarku i Kukësit dhe Hasi, ku do të luhaten nga 39-40 gradë celsius. Sot do të kemi një mesditë me temperatura relativisht të larta.
“Gjatë ditës së nesërme temperaturat do të zbresin me 3 gradë celsius. Minimumet në 18 gradë celsius. Në Ultësirën Perëndimore 22-25 gradë celsius mëngjesit, por rënia e ndjeshme në mesditë me maksimume 36 gradë celsius. Në zonat verilindore rënia dhe më e ndjeshme. Kryesisht pjesa më e madhe e territorit shqiptar do ketë rënie e ndjeshme. Parametri i erës do jetë mjaft i ndjeshëm ditën e nesërme me 40-45 km në orë.Gushti në javën e parë me temperatura shumë pranë vlerave normale 34-35 gradë celsius. Ka sinjale për një dy ditësh që do ketë temperatura 39 gradë celsius. Gushti do jetë një muaj që do të ketë ditë të nxehta, nuk përjashtohet mundësia e goditjes nga valët e të nxehtit dhe në vlerën 40-41 gradë celsius”, tha Osmani.