Shëndetësia/ Manastirliu: Kombinim të vaksinimit anticovid me atë të gripit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një konferencë për mediat deklaroi se prioritet për 2023 është fuqizimi i programeve të shëndetit publik. Ministrja tha se do të ketë një kombinim të vaksinimit të Covid -19 me atë të gripit
“Programi kombëtar i vaksinimit anticovid po kombinohet me vaksinimin kundër gripit në të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Mbi 1.3 milion qytetarë janë vaksinuar deri tani me dozën e parë të vaksinës antiCovid; mbi 1.2 milion kanë marrë dozën e dytë; mbi 350 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e tretë dhe mbi 45 mijë qytetarë me dozën e katërt. Sa i takon vaksinës së gripit janë vaksinuar më shumë se 200 mijë qytetarë këtë vit”, tha Manastirliu.
Duke folur për programin kombëtar të vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se u përfshi për herë të parë vaksina kundër HPV.
Ministrja Manastirliu tha se këtë vit rritet financimi me 4 milion dollarë për Listën e Barnave të Rimbursueshme për trajtimin e sëmundjeve kronike, duke e çuar në 11.4 miliard lekë.
“Fishat e diabetit do të përfitohen falas edhe për grupmoshën mbi 65 vjeç duke filluar nga ky vit”, u shpreh Manastirliu.