Sfidë për jetesë për personat me aftësi të kufizuar!/ Mungesa e shërbimeve vështirësojnë jetën e tyre

Personat me aftësi të kufizuar përballen shpesh në përditshmërinë e tyre me vështirësi në marrjen e shërbimeve në disa institucione, për shkak të infrastrukturës, siç janë rampat.

Fiks Fare trajtoi historinë e një invalideje, e cila nuk mund të marrë shërbimet jetësore në institucione publike dhe private për shkak të mungesës së infrastrukturës – ambiente të cilat duhet të ishin të pajisura me një rampë, që të thjeshtësojnë kalimin e personave me aftësi të kufizuara.

Shpresa Spahiu, prej 30 vitesh është në karrike me rrota si pasojë e ndërhyrjeve që ka bërë në moshën 16 vjeçare për tumorin në shtyllën kurrizore. Në intervistë për Fiks Fare, ajo tregon se si ka qenë jetesa e saj dhe çfarë vështirësish has ajo në përditshmëri.

Spahiu pohon se pengesat që ajo ka hasur janë të shumta, duke filluar nga trotuaret dhe institucionet publike dhe ato private. Për një jetesë sa më të pavarur ajo ka zgjedhur që të jetojnë në bodrum, në një garazhd makinash, pasi ajo e ka të pamundur që të jetojë në pallat për shkak të infrastrukturave të tyre.

Dhe pse kjo jetesë që ajo ka zgjedhur është e përshtatshme për të nga ana e infrastrukturës, ajo përsëri has probleme të tjera. Spahiu tha se gjatë reshjeve të shiut, shtëpia e saj përmbytet dhe se për këtë vit është përmbytur katër herë, dy herë në muajin maj, qershor dhe dy herë në stuhinë që u bë në tetor.

Gazetarët e Fiksit kaluan një ditë me zonjën Shpresa, ku pasqyruan me zë dhe figurë vështirësitë që ajo has në përditshmëri.

Duke qenë se ajo ka zgjedhur një jetesë të pavarur, ilaçet dhe ushqimet i blenë vetë. Por përsëri infrastruktura e papërshtatshme, bënë që ajo të mos ketë më një jetesë të pavarur, por të kërkojë ndihmë nga njerëzit rreth e rrotull.

Një ankesë tjetër ka qenë nga i afërmi i një personi me aftësi të kufizuara ku shpreh se gjithmonë hasin probleme në transport dhe thekson mospërshtatshmërinë e taksive për këta persona. Ai tha për Fiksin se në momentin që ai kërkon një taksi për invalidët ata i thonë se kompania nuk i lejon që të marin PAK.

Pas intervistës gazetarët e Fiksit telefonuan disa kompani taksish, ku faktuan se këto kompani nuk e ofrojnë shërbimin e transportit për invalidët. Në taksitë e telefonuara kishte dhe nga ata që pohonin se menaxheri nuk i lejon që të marrin PAK.

Gazetarët e Fiks Fare duke u bazuar në VKM nr. 1074, datë 23.12.2015, që përcakton masat për zbatimin e rregullave për të mënjanuar pengesat mjedisore dhe infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara, kanë bërë një vëzhgim të gjendjes aktuale në disa qytete të Shqipërisë.

Nga ky vëzhgim rezulton se personat me aftësi të kufizuar kanë shumë pak ose aspak akses në shërbimet publike dhe private, ndonëse sipas VKM-së, bashkitë dhe strukturat e tyre të kontrollit, kanë detyrim për garantimin e një mjedis pa pengesa për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.