Rriten kursimet në banka, 4.4% e individëve kanë gati 60% të vlerës së depozitave në vend

 

Kursimet në banka vijuan rritjen në vitin 2022. Pjesa më e madhe e tyre zotërohen nga pak individë, ndërsa një e treta e llogarive, që individët kanë hapur nëpër banka, kanë maksimumi 100 lekë.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të depozitave (ASD), në fund të vitit 2022, Vetëm për individët, depozitat e sigurueshme ishin 1.16 trilionë lekë (9.8 miliardë euro), ose gati 82% e totalit të depozitave të sigurueshme në vend. Depozitat e sigurueshme, sipas ASD-së përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.

Sipas ASD-së, në total janë rreth 2.6 milionë depozitues individë, që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave deri në fund të vitit 2022.  Nga këta, rreth 900 mijë depozitues, ose 34.7% e totalit kanë një balancë në llogaritë e tyre prej zero deri në 100 lek (minimumi ligjor për kompensim).

1.53 milionë depozitues të tjerë  i kanë i kanë depozitat deri në nivelin maksimal ligjor të mbulimit dhe përfitojnë mbulim të plotë nga skema e sigurimit të depozitave, pra kanë më pak se 2.5 milionë lekë në llogaritë e tyre në banka. Shuma e depozitave që u korrespondon këtyre depozituesve arriti vlerën 480.8 miliardë lekë në fund të vitit 2022. Individët që kanë në banka midis 100 deri në 2.5 milionë lekë përbëjnë 60% të totalit të numrit të depozituesve, por kanë vetëm 41.% të shumës së depozituar nga individët në banka.

Depozituesit e mëdhenj janë të paktë në numër, por kanë shuma të mëdha në banka. Sipas ASD-së, ishin 114,798 individë, që kishin depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2022. Sipas numrit të llogarive, ata përbëjnë vetëm 4.4% të totalit të depozituesve. Por, këta 115 mijë individë zotërojnë 680.8 miliardë lekë, ose 59% të totalit të depozitave të sigurueshme të individëve.