Rindërtimi ngec në Durrës, 20 familje presin të futen në shtëpi
Problematikat e procesit të rindërtimit në Durrës nuk kanë të ndalur 4 vite pas tërmetit.
20 familjet e pallatit nr.21 në lagjen nr.7 të Durrësit presin prej muajsh të futen në apartamentet e reja, të cilat sipas tyre kanë përfunduar që në tetor të vitit të kaluar.
Por deri më tani, ata nuk mund të gëzojnë apartamentet e reja
“Pallati mbaroi në dhjetor dhe ne thamë se do hynim për vit të ri. Tani po hyjmë në muajin e pestë dhe ende nuk shpresë për të hyrë brenda”, thotë një banor.
Megjithëse prej kohësh kanë kërkuar përgjigje zyrtare nga bashkia, ata ende nuk dinë pse nuk u janë dorëzuar çelësat e shtëpive të tyre.
“I kemi shkruar kryetares së bashkisë mesazh. Na tha pse do protestoni, nuk ju është bërë pallati? Pallati është bërë i thamë, por nuk po na jepet. Ka procedura qeveritare tha, kur të mbarojnë ato, se ne duam t’jua ndajmë një orë e më parë. Tani sesa do zgjasin këto procedura ne nuk e dimë, por e dimë që jemi me lecka në krahë sa andej-këtej”, shprehet një banore.
I vetmi pallat i rindërtuar nga e para në Durrës dhe ku banorët prej muajsh jetojnë në apartamentet e reja është ai i VIP-ve.
Ndërkohë, asnjë nga pallatet e tjera të rindërtuara nuk është dorëzuar.