Rama dhe Begaj urojnë besimtarët për festën e Kurban Bajramit
Teksa e gjithë bota myslimane feston sot Kurban Bajramit, vjen një urim nga kryeministri Edi Rama. Ky fundit ka uruar sot besimtarët për këtë festë të shënuar në kalendarin e tyre.
“GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, thuhet në urimin e Ramës , ndërsa ka publikuar një foto nga një xhami, ku duket një pëllumb.
Gjithashtu edhe presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e Kurban Bajramit. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, presidenti thotë se shpreson që kjo ditë të jetë një mundësi që të gjithë të sakrifikojnë sadopak nga vetja dhe se duhet të ofrojmë më shumë solidaritet, dashuri dhe mirësi ndaj njëri-tjetrit.
“Uroj të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe kudo ku janë gëzuar festën e Kurban Bajramit! Sakrifica në emër të besimit në Zot është mesazhi që përcjell kjo festë. Le të jetë kjo ditë një mundësi ku të gjithë të sakrifikojmë sadopak nga vetja jonë. T’i ofrojmë solidaritet, dashuri dhe mirësi njëri-tjetrit, familjeve tona dhe Shqipërisë. Uroj çdo të mirë dhe vetëm mbarësi gjithmonë!”, shkruan Begaj.
Myslimanët e shënojnë këtë ditë duke bërë kurban një dele ose një dhi. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve. Kurban Bajrami festohet pas kryerjes së Haxhit.