Punonjës sezonalë, por me pagesë 12-mujore: Plani i qeverisë për të ardhmen

Qeveria shqiptare është në bisedime me operatorët turistikë për të siguruar punësim 12-mujor. Në planin e Strategjisë Kombëtare 2024-2030, thuhet se synohet të krijohet një model punësimi për 6 muaj, e më pas 6 muajt e tjerë punonjësit sezonalë do të paguhen me një pagë minimale.

Ende nuk ka diçka të përfunduar, pasi bisedimet sapo kanë nisur për të gjetur rrugën e përbashkët që kjo nismë të realizohet.

“Ky kuadër duhet të fokusohet te punonjësit sezonalë në industrinë e turizmit, duke siguruar që ata të marrin kompensim të përshtatshëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, si dhe duhet të stimulojë punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese,” theksohet në Strategji.

Nisma do të ketë një numër të përcaktuar përfituesish, bazuar në periudhën e punës pa ndërprerje, por edhe në kohën e mbështetjes financiare, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ripunësimin.

Në vitin 2023, numri i të punësuarve në turizëm ishte 43 mijë, ndërsa me planin e hartuar deri në vitin 2030, ky numër pritet të arrijë në 74 mijë.