Në rritje përdorimi i kanabisit në shkolla

Studimi i kryer nga Instituti i Shëndetit publik me të rinjtë e moshave 14-18 vjeç tregon se 15.3% e adoleshentëve kanë eksperimentuar me një lloj droge. 6.6% e të anketuarve kishin eksperimentuar me kanabisin, 4% me ekstazi, 1.6% kishin përdorur kokainë dhe 1.4% kishin përdorur heroinë. Shqetësimi ngrihet edhe nga psikologet e shkollave.

“Ka një tendencë në rritje të përdoruesve të kësaj grupmoshe, nuk mbetet më tek faza e eksperimentimit. Individë jashtë të përfshirë në këto lloj aktivitetesh të paligjshme i përdorin si karrem për t’i futur në linjë për të bërë atë pjesën e shpërndarjes. Në shkollën e mesme duket sikur tashmë nxënësit janë familjarizuar për fat të keq me përdorimin e kanabisit.”

Sipas studimit 21% kanë pohuar se e gjejnë lehtësisht mariuanën, çka do të thotë që trafikantët e drogës, funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave.

“Ka një hapje apo zgjerim territori ku qarkullojnë konsumimet. Nxënësit që kanë këto problematika zakonisht janë me prindër të divorcuar ose me prindër në emigrim.”

Veç kanabisit, në rritje është dhe përdorimi i duhanit. Nxënësit kanë pohuar se përvojën e parë me drogën e kanë nisur më herët, që në moshën 12-13 vjeç. Fenomeni ndeshet më shumë në Tiranë Fier, Durrës, Vlorë.

Gazetare: Ermelinda Hoxhaj

Burimi: Klan News