Manja: Trefishim i asistencës ekonomike për viktimat e dhunës në familje!
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë konferencës rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft”, që u mbajt sot në Prishtinë, përgjatë “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, u shpreh se dhuna me bazë gjinore dhe ajo në familje është një plagë e rajonit tonë dhe më gjerë.
“Kemi qenë gjatë këtyre ditëve dëshmitarë dhe veçanërisht të prekur nga një akt i paprecedentë dhune fatale ndaj gruas. Urojmë që drita e shpirtit të Liridonës, tashmë i lirë përtej çdo kthetre dhune të kësaj bote, të ndriçojë si fanar kujtese për të gjithë ne, për të mos harruar kurrë se lufta jonë me dhunën ndaj grave, nënave, vajzave, e motrave tona është ende larg për t’u quajtur e përfunduar”, theksoi Manja.
“Sot është në vëmendje dhe vigjilencë të shtuar të Qeverisë Shqiptare, jo vetëm konsolidimi i një kuadri strategjik e ligjor bashkëkohor që është në përputhje me standardet ndërkombëtare e ato evropiane, por mbi të gjitha krijimi i shërbimeve miqësore dhe mikpritëse ndaj çdo rasti dhune. Sot në nivel qeverisjeje lokale, aktualisht janë në funksionim mekanizma për raportimin e dhunës me bazë gjinore në të 61 bashkitë e vendit. Këto njësi janë baza për të shtyrë përpara trajtimin e barabartë gjinor si parakusht për eliminimin e dhunës në të gjitha sferat e jetës”, tha ai.