Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka folur sot në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë edhe për shkaqet e largimit të mjekëve nga Shqipëria, teksa ka mbrojtur projektligjin e qeverisë për studentët e Mjekësisë. Kushi theksoi se shkak i kësaj nuk është cedimi i sistemit, por nevoja e vendeve të BE-së për mjekë dhe liberalizimi i të gjitha procedurave për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera.
EVIS KUSHI MINISTRE E ARSIMIT: Tani, pse largohen mjekët?! U përmend disa herë se mjekët largohen sepse ky është një cedim i sistemit. Në fakt ne biem dakord që kemi ende shumë punë për të bërë. Që kemi problematika, patjetër që kemi. Ndërkohë janë bërë shumë punë, shumë përparime, ka shumë zhvillim. Që duhet të bëjmë akoma, patjetër. Por arsyeja kryesore, ju e thatë edhe vetë në fjalët tuaja, është që vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë.I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë apo edh e qytetarë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien. Por, sot ata shkojnë dhe janë të sigurt që menjëherë u ofrohet një vend pune, madje edhe pa njohur diplomën.Ju e thatë vetë që qytetarët e vendeve të BE-së nuk duan më të studiojnë më për mjekësi sepse është një shkollë e vështirë, sepse kërkojnë gjëra më të lehtë. Pra ata janë në krizë. Kjo sigurisht që i tundon mjekët tanë për një jetë më të mirë, një nivel page më të lartë. Ne sigurisht që i kemi rritur pagat. Por arsyeja, nuk është se çedoi sistemi. Sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur sepse çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime, kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë, në fushën e IT, etj”.
Sipas ministres, të gjithë kandidatët, maturantët që fitojnë të drejtën për t’u regjistruar për mjekësi, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Mjekësisë. Ata do të pranojnë që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
EVIS KUSHI MINISTRE E ARSIMIT: Projektligji parashikon që studentët ose më saktë kandidatët për studentë që kanë fituar tashmë të drejtën, bëhet fjalë kur të fitojnë të drejtën në muajin Gusht, pas konkursit, sepse siç e dini është shtuar edhe provimi i digjitalizuar përveç rezultateve në tre vitet e studimeve në gjimnaz, por edhe provimeve të maturës, ne kemi shtuar në muajin gusht edhe provimin e digjitalizuar që do të ketë peshën 30% në renditjen e përgjithshme. Dhe të gjithë ata kandidatë, ata maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMSH, MAS dhe UMT, për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
Për pjesën tjetër, pra ata që e kanë nisur universitetin dhe ata që janë në përfundim, ka dy alternativa.
EVIS KUSHI MINISTRE E ARSIMIT: Alternativa e parë është që edhe këta studentë është që të nënshkruajnë një marrëveshje përsëri me UMT, dhe dy ministrisë, për të qëndruar respektivisht nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit për të punuar edhe ata në institucionet tona. Dhe për ta tërhequr diplomën pas shlyerjes së këtij detyrimi. Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, është që nëse ata nuk pranojnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve, por për vitet që kanë mbetur.
Ligji, sipas ministres, nuk do të ketë efekte prapavepruese, por për vitin ri akademik dhe për të gjitha vitet që i kanë mbetur studentit deri në diplomim do të paguajnë koston. Ministrja Kushi thotë se projektligji u ofron këtyre studentëve një trajtim të veçantë.
EVIS KUSHI MINISTRE E ARSIMIT: Së pari, do të kenë të drejtë punësimi prioritare në institucionet shëndetësore, dhe së dyti, do të përfshihen me prioritet në programet sociale të strehimit. Në rast se brenda një viti pas lindjes së këtij detyrimi, pra pas diplomimit, studentët ose të diplomuarit nuk do të arrihet që të punësohen në institucionet brenda Shqipërisë ata do të konsiderohet që i kanë përmbushur detyrimet dhe menjëherë do të pajisen me diplomën e tyre dhe më pas janë të lirë që të zgjedhin që të qëndrojnë në Shqipëri apo të largohen sipas preferencave të tyre. Ndërkohë që projektligji e parashikon edhe periudhën e specializimeve si periudhë punësimi.
Kushi sqaroi edhe pse projektligji është propozuar me procedurë të përshpejtuar.
EVIS KUSHI MINISTRE E ARSIMIT: Për arsye se siç thashë pak më parë në muajin gusht kandidatët për studentë, maturantë që duan të vazhdojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme do të kenë provimin e digjitalizuar. Dhe projektligji parashikon që këta maturantë që përpara këtij provimi, që kur aplikojnë për të zhvilluar këtë provim, duhet të pranojnë kushtet e paraqitura nga UMT dhe kushtet që rrjedhin nga ky projektligj. Prandaj për këtë arsye ne duhet ta kalojmë me procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që maturantët përpara se sa të vendosin për të zgjedhur programin Mjekësi e Përgjithshme, t’i njohin të gjitha kushtet që lindin si rezultat i regjistrimit në këtë program.