Gjirokastër, gati parkimi nëntokësor në sheshin e Çerçizit, një infrastrukturë lehtësuese që i jep frymëmarrje të re qytetit

Turistët e shumtë që vizitojnë Gjirokastrën, por edhe banorët e qytetit do të kenë në dispozicion, një hapësirë lehtësisht të aksesueshme, që është parkimi i madh nëntokësor prej 300 vendesh, në Sheshin e Çerçizit, mbi të cilin ka nisur faza e dytë e projektit, riveshja me gurë e hapësirës së madhe këmbësore.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Gjirokastrën ku së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë Flamur Golemi inspektoi në terren ecurinë e punimeve si dhe u njoh me detaje të projektit.

“Poshtë janë harqet e parkingut të cilat do vishen me gurë, ndërsa kjo do jetë e gjitha pjesë e projektit të rikualifikimit për ta bërë të përdorshme qoftë për fëmijët, por dhe për publikun sepse vazhdojmë të jemi mangut me hapësira publike, lulishte. Ky pastaj do jetë gjithë sheshi publik që do jetë me motive, jo riprodhim fiks i kalldrëmit. Këtu fillojnë pllakat me dizajnin e ri. Ka tjetër motiv. Pra, risjell motivin e Gjirokastrës me gurë por nuk do jetë riprodhim i kalldrëmit.” – shpjegoi Ministrja Kumbaro.

Infrastruktura e re shmang trafikun nga Pazari i vjetër, duke krijuar një hapësirë të re urbane nën Sheshin e Çerçizit, e cila i jep një frymëmarrje të re qytetit dhe një cilësi të re zonës historike.