Erozioni është tashmë një fenomen i njohur që ndodh thuajse çdo vit në plazhin e Semanit në Fier. Këtë vit, siç raporton drejtuesi i tokave në këtë qytet, dëmtimi shkon në 1420 hektarë.
“Vitet e fundit deti ka përparuar në tokat bujqësore. Ka dëmtime në Seman dhe Rremas, deti ka avancuar 700 deri në 800 metra në brendësi të tokës. Dëmtimi shkon deri në 1420 hektarë”, tha Asqeri Rukaj, Drejtori i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave në Qarkun e Fierit.
Si në Seman të Fierit ashtu dhe në fshatin Rremas të Lushnjes, brigjet ranore po zhduken.
“Në Seman ish-kabinat e plazhit nuk ndodhen më edhe kulla e ujit ishte 500 metra larg në breg dhe tani ajo është brenda në det. Fenomen i tillë edhe një Rremas të Bashkisë së Lushnjes ka dëmtime, ndërsa në Divjakë deti është larguar”, shtoi ai.
Sipas studimeve, erozioni detar në Seman përfshin një vijë bregdetare prej 28 kilometrash dhe është fenomen natyror që vjen prej proceve tokë formuese.
Marrë nga Shqiptarja.com