Dëmtimet afatgjata në shëndet post Covid-19/ Mjekët: Në 2 vjet janë shtuar pacientët me çrregullime në frymëmarrje dhe depresion

Edhe pse pandemia përfundoi, Covid- 19 “vijon” ende të jetë me ne. Gati 2 vjet pas përfundimit të saj, dëmtimet afatgjatë në shëndet pas infektimeve nga Covid-19, po bëhen barrë jo vetëm për individët, por edhe për sistemet shëndetësore.

Ilir Allkja mjek i urgjencës në një nga klinikat private pohoi për “Monitor” se 2 vitet e fundit është shtuar numri i pacientëve për trajtim të pasojave post Covid-19. Sipas vlerësimeve të mjekut Ilir Allkja pasojat kryesore afatgjatë në shëndet të pacientët e prekur nga Covid-19 po ndihen si te ndryshimi i ritmit të frymëmarrjes, te çrregullimet kardiologjike dhe neurologjike.

“Ndryshime të ritmit të frymëmarrjes. Pneumonia nga Covid-19 mund të dëmtojë alveolat (hojëzat) në mushkëri të cilat mund të çojnë në probleme afatgjata të frymëmarrjes, të tilla si gulçim, frymëmarrje të shpeshtë, me ndërprerje (apnea) etj. Përveç indit pulmonar në pneumonitë nga Covid-19 dëmtohen (raste të provuara) edhe muskujt e frymëmarrjes; ata ndërbrinjorë dhe diafragma.

Çrregullimet neurologjike janë hasur në shumicën dërrmuese tek personat që kanë kaluar pneumoni nga Covid-19.

Si mjek e kam ditur se viruset mund të ndikojnë në tru dhe funksionin e tij, dhe mjekët neurologë e kanë vërejtur shumë e shumë të tilla çrregullime. Këto çrregullime përfshijnë vështirësi në përqendrimin dhe vëmendjen, dëmtim të kujtesës dhe vështirësi në gjetjen e fjalëve janë ankesat më të shpeshta të pacientëve që unë vizitoj. Shqetësimet e gjumit dhe lodhja, mund të kontribuojnë më tej në problemet e të menduarit, duke e bërë jetën e përditshme, punën dhe aktivitetet më të vështira.

Gjithashtu në shumë raste infeksioni i Covid-19 përveç mushkërive ka prekur edhe zemrën, pjesërisht ose gjithë strukturat; perikardil, miokard dhe endokard. Ky infeksion ka shkaktuar inflamacion dhe dëmtim të qëndrueshëm të muskujve të zemrës. Dëme të tilla kanë ndodhur edhe tek personat që kanë pasur simptoma të lehta të virusit. Pasoja të diagnostikuara janë aritmitë, disfunksionet valvulare, ndryshime kinetike e hemodinamike”, thotë mjeku Allkja.

Për muajt janar-prill 2023 sipas të dhënave të raportit të Monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë shtrimet në spitale të pacientëve të trajtuar në kardiologji u rritën 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-it.

Depresioni dhe ankthi gjithashtu sipas mjekut Allkja janë rritur shumë që në nisje të pandemisë.

“Një pjesë jo e vogël e të prekurve nga COVID-19, kanë pësuar ndryshime në shëndetin mendor. Simptomat e ankthit dhe depresionit janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në Shqipëri. Nuk mund të parashikohet se sa gjatë mund të zgjasin këto pasoja, por vlerësoj se duhen trajtuar të gjitha simptomat, si ato fizike ashtu edhe ato shpirtërore”, pohon ai.

Për 4 mujorin e parë 2023 numri më i lartë i të shtruarve është te spitalet psikiatrike sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë periudhë numri i pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike ishte 1,122 pacientë nga 749 pacientë të shtruar në 4-mujorin 2022. Krahasuar me vjet numri i të shtruarve në psikiatri është rritur 50%.

Pavarësisht se ankthi nuk mjekohet apo trajtohet nga spitalet psikiatrike, mjekët e poliklinikave pohojnë se rastet e pacientëve që vuajnë nga ankthi gjatë kësaj periudhe janë në rritje të lartë krahasuar me vjet.

Mjekja psikiatër Arjan Rreli pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3 në Tiranë tha më herët për Monitor se pas ngjarjes së tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19 vijon tendenca rritëse e pacientëve me shenja ankthi dhe depresioni.

Mjeku Allkja gjithashtu pohon se ndër simptomat njohëse që nuk po përmirësohen mbeten edhe ato të çrregullimeve të përgjithshme trupore.

“Shumë pacientë me COVID-19 që vuajnë nga një sërë problemesh fizike: lodhje kronike, dobësi e përgjithshme, dhimbje kyçesh, dhimbje muskulare, shtim në peshë e në disa raste humbje në peshë, humbje të masës muskulore etj. Trajtime të tjera efektive mund të përfshijnë terapi fizike, terapi profesionale, terapi të folurit dhe terapi psikologjike. Për simptomat njohëse që nuk po përmirësohen, sugjerohet të punoni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor për të gjetur trajtime dhe medikamente që mund të ndihmojnë”, nënvizon ai.

Në gjithë botën sipas të dhënave të OBSH numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 nga fillimi i pandemisë deri në mesin e muajit gusht 2023 arriti në 769,806,130 infektime, duke përfshirë 6,955,497 vdekje. Gjithashtu deri më 20 gusht 2023 sipas OBSH në rang global janë administruar gjithsej 13,499,865,692 doza vaksinash kundër Covid-19. /Monitor