Bukuritë e Shkodrës mahnisin turistët belg: Nuk u menduam dy herë!
Turizmi në Shkodër po njeh një rritje të ndjeshme, edhe përpara nisjes zyrtare të sezonit. Një grup studentësh nga Belgjika, plot energji dhe kureshtje, zgjodhën pikërisht Shirokën për të eksploruar natyrën.
Ata thanë se janë të mahnitur nga peizazhi i mrekullueshëm që bashkon malin me liqenin, teksa dëshironin të shijonin eksperienca të veçanta përmes sporteve ujore, si kanotazhi në liqenin e Shkodrës.
Pikërisht mësuesja e grupit kishte rekomanduar Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar, duke theksuar se Shkodra si qytet ka gjithçka – Alpe për hiking, mbrëmje të këndshme në shëtitore, por edhe çmime të arsyeshme.
Shkodra po e dëshmon gjithnjë e më shumë potencialin e saj turistik. Edhe pse ende në fillim të pranverës, prania e vazhdueshme e turistëve është një sinjal i qartë: Shkodra po shndërrohet në një destinacion të dashur ndërkombëtar, ku natyra, kultura dhe mikpritja ndërthuren në mënyrë unike.