Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit

 

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Kreu i qeverisë, Edi Rama e ka nisur me urimin për besimtarët bektashinj duke i uruar që pranvera të çelë në zemrën e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uron gjithë besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Nevruzit, e cila njihet si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj!”.

 

Kryeministri, Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit që festohet ditën e sotme. Nëpërmjet një postimi në facebook, Rama e konsideron datën 22 mars si një ditë të bekuar që simbolizon edhe vetë nisjen e stinës së pranverës. “Mirëmëngjes dhe në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar”-shkruan Rama.

 

Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).