Abuzimi me medikamentin/ Si ilaçi i diabetit po përdoret për dobësim

 

Ozempic – obsesioni i yjeve

Çfarë ka të përbashkët Khloe Kardashian me Elon Musk? Përgjigjia do të ishte – trupat, ose më mirë formën perfekte fizike. Arsyeja? Nuk është as gjenetika, as palestra, por një medikament që duket se të dobëson sa hap e mbyll sytë, por me një kosto të madhe shëndetësore.

Ozempic

Ky është një medikament që përdoret për kurimin e diabetit të tipit 2 dhe luan rolin e një hormoni që prodhohet në zorrë, e shërben për rritjen e sasisë së insulinës që pankreasi lëshon në organizëm. Qëllimi final – mbajtja nën kontroll e niveleve të glukozës në gjak. Sigurisht ky është një përdorim strikt vetëm në rastin e kësaj sëmundjeje.

Dobësimi

Por duket se prej disa kohësh është shndërruar në preparatin “magjik” që përdoret për të rënë ndjeshëm në peshë. Për shembull, nëse disa persona publikë, apo edhe njerëz pranë jush kanë një ndryshim të menjëhershëm dhe drastik në peshë, ka të ngjarë që të përdorin Ozempic.

Kardashian dhe Musk janë ndër vipa-t që e kanë pranuar përdorimin e tij për të rënë në peshë, por duket se ky është shndërruar në një fenomen masiv, sidomos në Hollivud. Edhe në natën e ndarjes së çmimeve Oskar, personaliteti televiziv Jimmy Kimmel gjatë prezantimit ju drejtua të pranishmëve në sallë – “Dukeni yje. Kur ju shoh kaq në formë nuk mund të mos i bëj pyetje vetes – a ta provoj edhe unë Ozempic?”

Numri i personave publikë që e kanë pranuar përdorimin e këtij medikamenti është i madh. Veç dy emrave që i përmendëm në fillim kanë dalë hapur edhe shumë të tjerë, por i atyre që nuk e prajnojnë, duke e përdorur në fshehtësi është edhe më i madh. Thuhet se edhe shumë figura publike në Shqipëri e përdorin.

Perfeksioni

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak,  ndodhemi në presionin e një standarti bukurie që nuk është natyral, afër perfeksionit dhe që propagandohet çdo moment nga media. Vajzat dhe gratë duhet të përballen çdo ditë me këtë version që kërkon një imazh shumë të kuruar dhe një siluete elegante dhe fine. Një industri e tërë është ngritur për të krijuar “njeriun perfekt”, e nëse nuk ja del industria kalohet edhe në masa vetëshkatërruese.

Dëmi

Po çfarë mund ti shkaktojë organizmit përdorimi i Ozenpic? Fakti që shumë njerëz janë të gatshëm t’i nënshtrohen injeksioneve të rregullta dhe efekteve anësore potencialisht të pakëndshme në emër të përshtatjes në një standardi të ngushtë të trupit është shqetësues.

Mjekë të shumtë janë shprehur kundër një veprimi të tillë dëshpërues. Së pari sepse ky medikament nuk është i liçensuar nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, që do të thotë nuk mund të përdoret veçse për rastet e diabetit.

Efektet anësore

Efektet anësore më të zakonshme të Ozempic janë gastrointestinale. Të vjella, kapsllëk dhe jashtëqitje janë raportuar gjerësish. Ka edhe efekte ekstreme që përfshijnë inflamacionin e pankreasit, retinopatinë diabetike, problemet e veshkave, problemet e fshikëzës së tëmthit dhe reaksionet alergjike.  Nuk këshillohet për gratë shtatzënë, me gji ose me një histori personale ose familjare të karcinomës medulare të tiroides ose tumoreve të shumëfishta endokrine. Dhe për ta mbyllur, në raste të veçanta mund të shkaktojë edhe tumor të tiroideve.

Shqipëria

Duke u nisur nga këto pasoja, është shqetësues fakti që ky medikament në Kosovë dhe Shqipëri, shpesh shitet edhe pa recete. Kjo e bën të pamundur të krijosh një ide në lidhje me numrin e përdoruesve jo diabetikë dhe si pasojë edhe të atyre që kanë probleme në organizëm për shkak të përdorimit të Ozempic. Një pjesë e madhe e farmacistëve të kontaktuar nga Replika.al në kushtet e anonimitetit kanë pohuar se shumë të reja e blejnë medikamentin për t’u dobësuar. I pyetur nga gazetarët tanë në lidhje me këtë situatë, nefrologu Alketa Koroshi tha për Replika.al se dëmet që mund t’i shkaktohen shëndetit janë të mëdha dhe të pariparueshme.