111-vjetori i Pavarësisë, Veliaj uron shqiptarët nga sheshi ‘Skënderbej’: Shqiptarët e bashkuar e çojnë vendin vetëm përpara
Nga sheshi “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi gjithë shqiptarët 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Ai tha se shqiptarët janë duke jetuar ditët tona më të mira, kombi ynë nuk ka qenë kurrë më i begatuar, më i prosperuar, kurrë më i lidhur me njëri-tjetrin se sa sot.
“Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme”, tha Veliaj.