Tritoli në banesën e Muhamet Dukës. A po rikthehet saga e hakmarrjeve Duka-Martinaj?
Disa vite më parë, Ervis Martinaj do të merrte peng babain e Elis dhe Leonard Dukës.
Dy emra të fuqizuar tashmë në fushën e lojërave të fatit dhe jo vetëm. Një fuqizim i tillë hapi edhe një sagë hakmarrjeje. Me rrëmbimin e babait, me videocall-in kur e dhunonin, urrejtja e vëllezërve Duka arriti kulmin. Ata nuk ja falën kurrë mbretit të lojërave të fatit një veprim të tillë. Nëpër Tiranë dëgjoje betimin e tyre:
Do t’ja presim krahët një nga një. Do ta lëmë pa asnjë njeri. Dhe hakmarrja nisi shumë shpejt.
Në vitin 2019, në fund të verës, u zu në pritë Santiago Malko, ushtar i betuar i Ervis Martinajt. Një akt i tillë, erdhi me gjasë, pas dështimeve të njëpasnjëshme të atentateve të organizuara kundër eksponentit kriminal më të përfolur të muajve të fundit.
Njerëzit e Martinajt do të “iknin” një nga një. U shënuan disa vrasje. Mes Laçit, Kamzës e Tiranës.
Deri sa kulmoi me shpërthimin dhe djegien brenda në automjet të Brilant Martinajt, njeriun që ishte shndërruar në pikën e dobët të Ervisit.
Sot, teksa prej muajsh nuk dihet asgjë për fatin e tij, i vendoset tritol banesës së babait të vëllezërve Duka. Një banesë e pabanuar që prej të paktën 3 vitesh. Megjithatë një metodë e mirë për të dhënë një mesazh: Ne të hyjmë edhe në shtëpi.
Prej pak kohësh është ngritur edhe një pikëpyetje e madhe. A është gjallë Ervis Martinaj?
Mos vallë hija e tij është kthyer e ethshme për të marrë hak?