Tirana nuk gjen qetësi/ Krimi në familje goditi sërish, këtë herë pa gdhirë mirë

 

E shtuna zbardhi ndryshe. Sagës së ngjarjeve të rënda iu shtuan dy viktima të tjera. Roland dhe Migena Sinani. Krimi gëloi sërish brenda familjes. Ngjarja e rëndë, edhe këtë radhë, u regjistrua në sy të fëmijës në gji.

Ishte ora 4 e mëngjesit të datës 8 prill 2023 kur një plumb u shkrep në trupin e Migenës, nënë e dy fëmijëve dhe dy të tjerë mbi Rolandin, një person me probleme të shëndetit mendor, kunati i të ndjerës.

Me gjasë, thonë burimet nga vendngjarja, ka patur fillimisht një përleshje, sepse e tillë është gjendja në dhomën e gjumit të 37-vjeçares. Ndërsa arma e krimit, thonë po burimet, të jetë gjetur disa metra larg autorit kryesor të dyshuar, Rolandit.

Kur shkova në vendngjarje, në orët e para të mëngjesit, një grua kishte marrë kujën. Ishte tezja e Rolandit. Më tej ishin shiritat e policisë dhe agjentët e oficerët që kryenin veprimet. Qytetarë që kalonin e pyesnin se çfarë ka ngjarë. E kur iu tregoje, nuk shprehnin ndonjë keqardhje të madhe. Njëlloj si të ishin mësuar. Si të thuash, e radhës…

Familja Sinani përshkruhej si një familje e qetë, pa probleme. Madje, tha një fqinj, ishin aq të qetë saqë nuk e prisnim kurrë të ndodhte një gjë e tillë.Në regjistrat e komisariatit nr.1 nuk është shënuar asnjë kallzim apo denoncim për dhunë apo probleme të mëparshme. Gjithçka, edhe nëse kishte patur diçka, ishte mbyllur brenda 4 mureve. Deri sa plasi e u shua me 3 plumbat e mëngjesit të hershëm të kësaj të shtune. Migena la pas dy fëmijë të vegjël. Dy fëmijë të tjerë do rriten vetëm.

NGA: AIDA TOPALLI