Sulm para zgjedhjeve? Çfarë ndodhi këtë 11 prill në Vaun e Dejës…

Nga Aida Topalli

Pak pas mesnatës së datës 11 prill, dy persona ende të paidentifikuar nga policia, hyjnë në oborrin e banesës së familjes Ndreca në Vaun e Dejës. Të mirëorganizuar dhe në pak sekonda, ato duket të bëjnë një ndërhyrje në automjetin tip ‘Audi’. Pasi bëjnë këtë veprim, ato largohen të qetë.

Ndërkohë sapo kishte zbardhur dita, pronari i automjetit, Benard Ndreca, njëherësh kreu i Partisë Demokratike në Vaun e Dejës, ngjitet në makinën e tij, për të shkuar në punë. Nuk kalojnë pak sekonda, dhe sapo ndezë mjetin, një shpërthim i fuqishëm ndodh. Të paidentifikuarit e pas mesnatës kishin vendosur një sasi tritoli në anën e pasagjerit. Shpërthimi është mjaft i fuqishëm, referuar asaj që shihet në video. Fatmirësisht, dëmet ishin vetëm në materiale. Ndërsa në një moment, në video dëgjohet nëna e kreut të PD-së së Vaut të Dejës, e traumatizuar.

Një akt i tillë, në oborrin e banesës, në sy të familjarëve, dhe me dy autorë që gjejnë guximin të hyjnë edhe në pronë private, është konsideruar si akt terrorist edhe nga drejtues të lartë të shtetit. Presidenti Begaj ishtë i pari që e dënoi rëndë aktin, duke kërkuar zbardhje të menjëhershme. Kujtojmë se jemi vetëm pak para fushatës zgjedhore të 14 majit. Dhe lufta në veri, mesa duket, qenka shumë e ashpër.