Skandali/ U testuan 920 efektivë për gradë, por nuk punoi skaltroni… Kush garanton transparencën në konkursin e gradave në Policinë e Shtetit

Pas thuajse një dekade, Policia e Shtetit hapi thirrjet e aplikimeve për gradat komisar dhe kryekomisar. 920 aplikantë u testuan ditën e sotme, datë 20 mars 2024 në ambjentet e Pallatit të Kongreseve, aty ku zhvillohen edhe testimet e tjera për Patrullë të Përgjithshme e të tjera me radhë.
600 ishin aplikantët për gradat komisar në rang republike dhe 320 të tjerë aplikuan për gradën kryekomisar.

Sipas procedurës standarte, shkruar edhe në ligjin e Policisë së Shtetit, korigjimi i këtyre testimeve bëhet me skaltron, një pajisje elektronike e cila përdoret jo vetëm për efekt shpejtësie, por edhe për efekt transparence.

Por sot, burime i thanë Replikë se skaltroni nuk punonte. Duke bërë që rezultatet të mos jepen në kohë reale.

Një situatë e tillë, shton dyshimet për abuzim, për një garë që luftohet të hapet që në kohën e Ardi Veliut, Gledis Nanos, por asnjëri nuk i dha hov zhvillimit të saj.

Përpos faktit që qindra punonjës të aftë policie u mbajtën peng duke mos u ngritur në detyrë, përpos faktit se janë po të njëjtët persona që “përplasen” sa një një komisariat në tjetrin, sa herë që bëhen ndryshime në radhët e policisë, edhe mundësia e sotme është tejet e vakët.
Duke treguar edhe njëherë se të vetmit të cilët mund ta marrin, janë ata që kanë emrin në listë.

A nuk kishte në dorë Policia e Shtetit ta shtynte datën kur skaltroni ishte i prishur?

Kush garanton për një proces të rregullt, transparent?

Apo grupi prej 5 aplikantësh të përzgjedhur për të qenë vëzhgues gjatë korigjimit?

Kur do të marrë fund abuzimi dhe tallja me uniformat blu?