Shpëtoi dy jetë, humbi të vetën! Vijojnë kërkimet për trupin e heroit Arben Anamali në liqenin e Shkodrës

Vijojnë pa ndërprerje kërkimet për trupin e kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali, i cili u mbyt në ujërat e Liqenit të Shkodrës pasditen e së martës, pasi shpëtoi dy turistë të huaj nga mbytja.

51-vjeçari Anamali u hodh në ujë për të ndihmuar turistët që kishin rënë në liqen dhe arriti t’i nxjerrë të gjallë në breg. Por pas këtij akti heroik, ai vetë nuk u pa më të dilte nga uji. Që prej atëherë, forcat polumbare të RENEA-s dhe punonjës të bashkisë janë të angazhuar në një operacion të përbashkët për gjetjen e trupit të tij.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një deklaratë në rrjetet sociale, e quajti kapitenin “një hero të vërtetë”, ndërsa theksoi se të gjitha strukturat janë në terren dhe nuk do të ndalen deri në gjetjen e trupit.

“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Kapiteni që sakrifikoi jetën për të shpëtuar të tjerët, është simbol i guximit dhe njerëzores. Fatkeqësisht, akti i tij heroik u kthye në tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën,” shkroi Beci, duke shprehur ngushëllimet për familjen Anamali.

Reagim për ngjarjen dha edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi guximin e Anamalit dhe u shpreh se “do të nderohet përjetë si një hero i vërtetë”.

Ndërkohë, ende nuk janë sqaruar rrethanat se si ndodhi ngjarja dhe përse turistët përfunduan në ujë. Mësohet se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.