Shpërthimi tragjik në magazinën e deputetit Bujar Çela, vetëm një i arrestuar, SPAK merr në dorë çështjen
Sipërmarrësi i punimeve në magazinën e shërbimeve të deputetit të Lushnjes Bujar Cela ka dalë sot para togave të zeza në gjykatën e Fierit, për tu njohur me masën e sigurisë.
Leonard Gjini, është personi i vetëm i arrestuar nje jave pas shpërthimit të bombulës , ku mbetën te vdekur babai dhe djali i tij , dhe u plagosën 7 të tjerë përfshirë dhe dëmet e mëdha materiale në banesat dhe bizneset pranë.
Në gjykatën e Fierit, në seancën me gjyqtare Dorina Alushi , me prokurore të pranishme Elona Gixhari, Lorena Salillari, dhe avokat Arben Zaimi, 32 vjecarit Gjini, i është dhënë masa e sigurisë “ Arrest me burg”, për veprën penale , të shkeljes se rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja te renda”
I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurre punën dhe se punëtoret që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë së ndërtimit që ai ka.
Megjithatë Gjykata e Fierit e ka mbajtur në burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit të punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë ndërtimi. Ndërkohë avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.
Nga ana tjetër Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë për hetimin e shpërthimit në magazinën në Lushnje, ku vdiqën babë e bir dhe u plagosën shtatë të tjerë, ngjarje për të cilën u la në burg sipërmarrësi Leonard Gjini, i cili kishte firmosur kontratë me deputetin Bujar Çela për ndërtimin e kapanonit.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Fierit njofton se materialet do të depozitohen në Prokurorinë e Posaçme, ku pritet të vijojnë hetimet ndaj deputetit socialist, Bujar Çela, i cili rezulton të jetë sipërmarresi i punimeve në magazinë.